Të veprojmë për ALLAH

Krijimi i qiejve, i tokës dhe i asaj që gjendet ndërmjet tyre

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Qoftë Lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe e bëri errësirën dhe dritën. E megji­tha­të, ata që nuk besojnë, sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre.” (El-En’am, 1)

“Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.” 

(El-Furkan, 59)

Ka edhe ajete të tjera në Kuran që flasin lidhur me këtë. Komentuesit e Kuranit (mufes­si­rët) kanë mendime te ndryshme rreth kohë­zgja­tjes së këtyre gjashtë ditëve dhe ata i shprehin dy mendime, ndërsa shumica e tyre konsi­de­rojnë se ato janë sikurse ditët tona. Ibën Abasi r.a., Muxhahidi, Dahaku dhe Ka’bi konsiderojnë se secila ditë ka zgjatur sa njëmijë vjet sipas nu­më­rimit tonë. Këto thënie të tyre i përmend ibën Xheriri dhe ibën ebi Hatimi, ndërsa këtë qën­drim e përkrahin edhe imam Ahmedi, ibën Xhe­riri si dhe një grup i dijetarëve të mëvonshëm, Allahu e di më së miri. Do ta përmendim atë që çon në këtë përfundim. Ibën Xheriri transmeton prej Dahak ibën Muzahimit se këto gjashtë ditë i kanë këta emra: Ebxhed, Hevez, Hutij, Kelemen, Sa’fes dhe Kareshet (Kurishet).

Ibën Xheriri thotë se ekzistojnë tre qëndrime lidhur me çështjen se në cilën ditë ka filluar krijimi: ithtarët e Teuratit (hebrenjtë) thonë se Allahu e ka filluar krijimin ditën e diel, ithtarët e Ungjillit (të krishterët) thonë se Allahu e ka fi­lluar krijimin ditën e hënë, ndërsa ne mus­li­ma­nët e themi atë që ka ardhur prej të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

“Allahu e ka filluar krijimin të shtunën.”1

Ky është qëndrim i muslimanëve, të cilin e përmend ibën Ishaku, ndërsa drejt tij anojnë disa juristë shafij dhe të tjerë. Mirëpo, ekziston edhe qëndrimi se kjo ditë është dita e diel. Këtë qëndrim e transmeton prej disa sahabëve ibën Xheriri. Gjithashtu transmetohet edhe prej Abdullah ibën Selamit, ndërsa e përkrah edhe ibën Xheriri. Ky është tekst i Teuratit, ndërsa drejt tij anojnë juristët e gjeneratave të më­von­shme.

Më e sigurt është se kjo ditë është e diel, kri­ji­mi është plotësuar për gjashtë ditë, dita e fundit është e premtja dhe për këtë muslimanët e ma­rrin për festë të javës, ndërsa kjo njëherësh është edhe dita në të cilën Allahu i ka lënë në humbje ithtarët e Librit, ndërsa ne do ta përmendim sqarimin lidhur me këtë, nëse do Allahu.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë. Pastaj, i është drejtuar qiellit dhe e ka rre­gulluar, duke i bërë shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.” 

(El-Bekare, 29)

“Thuaj: “Vallë, a me të vërtetë ju e mohoni Atë, i Cili e ka krijuar Tokën në dy ditë dhe sajoni zota të barabartë me Atë?!” Ai është Zoti i botëve! Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin. Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullire e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pa­hir!”. Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!” Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i caktoi detyrat e tij. Qiellin më të afërm Ne e zbukuruam me yje të shkëlqyer dhe i vumë ro­ja. Ky është urdhri i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.” 

(Fusilet, 9-12)

Kjo tregon në atë se Toka është krijuar para qiellit, sepse ajo është në njëfarë mënyre themel për godinën (qiellin). Allahu thotë:

“Allahu është Ai që Tokën ua ka bërë vendbanim e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i Lartësuar Allahu, Zoti i botëve!” 

(Gafir, 64)

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat e malet si shtylla?! Ne ju kemi krijuar në çifte dhe gjumin jua kemi bërë për prehje. Natën jua kemi bërë mbulesë, ndërsa ditën e kemi caktuar për të pu­nu­ar. Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë dhe kemi vënë kandil (diell) të shndritshëm!” 

(En-Nebe, 6-13)

A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka ka­në qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bë­më nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk be­soj­në?!” (El-Enbija, 30), që do të thotë se ‘e ke­mi ndarë qiellin dhe Tokën dhe mund të fryjnë erërat, të bijnë shirat, të rrjedhin burimet, të rrje­dhin lumenjtë dhe të jetojnë kafshët.’ Pastaj, Ai kishte thënë:

“Ne e bëmë qiellin mbulesë të mbrojtur, por përsëri ata shmangen nga shenjat që gjenden aty.” (El-Enbija, 32), që domethënë yje të përhershme që i kemi krijuar, planetët, yjet e mrekullueshme dhe trupa të tjerë që shkëlqejnë. Në të gjitha këto janë shenjat që tregojnë në urtësinë e Krijuesit të Tokës dhe qiejve, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin! Shumica e tyre nuk besojnë në Allahun, pa i sho­qëruar Atij njëkohësisht (idhuj të rremë) në adhu­rim.” 

(Jusuf, 105-106)

Sa i përket fjalëve të Allahut të Lartësuar:

“Cili është më i vështirë: krijimi i juaj apo i qiellit, të cilin Ai e ndërtoi, ia ngriti lart kupën dhe e përsosi. Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndrit­shme. Pastaj e shtriu rrafsh Tokën, dhe, nga ajo nxori ujërat dhe bëri kullotat, kurse malet i bëri të patun­dshme, që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.” (En-Naziat, 27-33), disa njerëz kapen për këto ajete dhe konsiderojnë se qielli është krijuar para Tokës. Me këtë i kundër­shtoj­në dy ajete kategorike, të cilat i kemi përmendur dhe ata nuk i kuptojnë këto ajete fisnike. Atë që duhet ta pranojmë prej këtyre ajeteve është ajo se Allahu i Lartësuar e ka rrafshuar Tokën, prej saj e ka nxjerrë ujin dhe kullosat, të gjitha këto pas krijimit të qiellit. Ai të gjitha këto i ka caktuar me Gjithëfuqinë e Tij, ashtu siç thotë Ai i Lartësuari:

“Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin.” (Fusilet, 10), domethënë ka dhënë vende të pasura me kullosa, vende të pasura me burime dhe me lumenj.

Pastaj, pasi që e plotësoi pamjen e botës së poshtme dhe të sipërme, Ai e rrafshoi Tokën dhe (prej saj) nxori atë që kishte qenë e vendo­sur në të, ka dhënë burime dhe rrjedha të lume­njve dhe janë paraqitur bimët dhe frutat. Për kë­të shkak, rrafshimi i Tokës komentohet si nxje­rrje e ujit, e bimëve dhe forcim i maleve. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Pastaj e shtriu rrafsh Tokën dhe nga ajo nxori ujërat dhe bëri kullotat, kurse malet i bëri të patundshme.” (En-Naziat, 30-32), që do­methënë ua ka caktuar vendin e tyre në të (To­kë) dhe i ka forcuar ato, duke mundësuar të jenë të përhershme dhe të palëvizshme. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë. Edhe Tokën e kemi shtruar! Sa shtrues të mrekullueshëm që jemi! Dhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar dy palë, në mënyrë që ju të vini veshin!” 

(Edh-Dharijat, 47-49)

“Me fuqinë Tonë”, domethënë me fuqinë Tonë, ndërsa “dhe Ne e zgjerojmë atë” do të thotë se e gjithë ajo që është mbi, është edhe më e gjerë, secili qiell i lartë është më i gjerë se qielli më poshtë. Për këtë, Kursia është mbi qiej, ajo është më e gjerë (më e madhe) se të gjithë ato, ndërsa Arshi është shumë më i madh se e gjithë kjo. Pas kësaj, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Edhe Tokën e kemi shtruar”, domethënë e ke­mi bërë të rrafshët dhe e kemi bërë që të jetë shtrat, pra vend pushimi, e jo vend ku njerëzit do të shqetësohen dhe ku do të kenë furnizim. Për këtë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sa shtru­es të mrekullueshëm që jemi”. Vavi (lidhësja “dhe”) nuk tregon në radhitjen e krijimit. Në aspektin gjuhësor, kjo është mënyra e zakon­shme e shprehjes së lajmeve, ndërsa Allahu e di më së miri.

Transmeton (ibën Xheriri) prej Imran ibën Husajnit se ka thënë:

“Hyra te Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërsa devenë time e lidha te dera dhe kështu erdhën disa njerëz prej fisit Benu Temim, ndërsa Ai tha: ‘Pranojeni lajmin e mirë o Benu-Temim!’ Ata thanë: ‘Ti deri më tash dy herë na e ke sjellë lajmin e mirë.’ Pastaj, tek Ai hynë disa njerëz nga Jemeni dhe Ai u tha: Pranojeni lajmin e mirë, o banorë të Jemenit, të cilin nuk e pranuan Benu Temim! Ata u përgjigjën: ‘Po e pranojmë o i Dërguari i Allahut’ - dhe madje thanë: ‘Kemi ardhur të të pyesim diçka.’ Ai u tha: Ka ekzistuar Allahu, nuk kishte asgjë përveç Tij, Arshi i Tij ishte në ujë, në Shkresë gjithçka e ka shkruar dhe i ka krijuar qiejt dhe Tokën’ - kur me këtë rast, dikush thirri: ‘Iku deveja jote o ibën Husajn!’ Shkova dhe pashë se i kishte tër­he­qur kapistrën prej ullarit dhe pasha Allahun, kisha dëshirë sikur ta kisha lënë.”2

Kështu në këtë mënyrë është transmetuar. Në librat ‘El-Megazi’ dhe Et-Teuhid si dhe nëpër disa thënie, thuhet: “...pastaj i krijoi qiejt dhe Tokën.”3 Kjo gjithashtu është thënie e Nesaiut.

Imam Ahmedi thotë se ebu Hurejre r.a. kish­te thënë:

“I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem më kapi për dore dhe më tha: Allahu e ka kriju­ar Tokën në ditën e shtunë, malet i ka krijuar të dielën, pemët i ka krijuar të hënën, gjërat jo të këndshme i ka krijuar të martën, dritën e ka krijuar të mërkurën, i ka shpërndarë kafshët në ditën e enjte, ndërsa e ka krijuar Ademin ditën e premte pas ikindisë në fund të krijimit; ai është krijuar në momentet e fundit të ditës së premte, ndërmjet ikindisë dhe natës.”4

Nesaiu në ‘Tefsirin’ e tij përmend prej ebu Hurejres r.a. se kishte thënë:

“I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ma kapi dorën time dhe tha: O Ebu Hurejre, me të vërtetë Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe atë që gjendet ndërmjet tyre për gjashtë ditë, pastaj në ditën e shtatë Ai u ngrit në Arsh. Tokën e ka krijuar ditën e shtunë.’5

Ky hadith e kundërshton thënien e ibën Xhurejxhit. E transmetojnë ibnul Medini, Bu­ha­riu, Bejhekiu dhe hafëz të tjerë. Në ‘Et-Te’rih’, Buhariu thotë: “Disa prej tyre transmetojnë prej Ka’bit dhe kjo është më autentike.” Do të thotë, këtë hadith të ebu Hurejres r.a. e vërteton Ka’bi. Ata të dy bashkë e kanë hulumtuar dhe e kanë mësuar hadithin. Njëri transmeton prej anës së tij, ndërsa tjetri atë që e kishte dëgjuar saktë prej Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Këtë hadith po ashtu e transmetojnë edhe ebu Hurejre r.a. (i cili i kishte mbajtur në mend hadithet) dhe Ka’bi prej anës së tij. Disa ravijë e lidhin për Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërsa e sigurt është se (zinxhiri i transmetuesve) arrin deri te Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, sepse (ebu Hurejre r.a.) kishte thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kapi dorën time...”, pastaj në tekstin e hadithit (metn) përmendet diçka shumë e çuditshme. Në mesin e atyre gjërave është se nuk përmendet krijimi i qiejve, por përmendet krijimi i Tokës dhe i asaj që gjendet në të për shtatë ditë. Kjo është në kundërshtim me Kuranin, sepse Toka është krijuar për katër ditë, pastaj qiejt janë krijuar prej mjegullnajës për dy ditë. Ajo ishte avull uji që ngrihet kur uji nxehet shumë, që shkaktohet prej nxehtësisë së tokës. Transmetohet se ibën Abasi, Murre el-Hemedani, ibën Mes’udi r.a. dhe sahabët tjerë të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, lidhur me fjalët e Allahut të Lartësuar: “Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë. Pastaj, i është drejtuar qiellit dhe e ka rregulluar, duke e bërë atë shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.” (El-Bekare, 29), kanë thënë: “Arshi i Allahut ka qenë në ujë, asgjë nuk ishte krijuar para ujit. (Allahu) Kur deshi t’i krijojë krijesat, e nxori prej ujit mjegullnajën, e cila ishte ngritur mbi ujë dhe pasi që ai (qielli) i ngjante asaj (semma ilejhi), kuptohet se është ‘qiell’ (sema). Pastaj, uji është tharë dhe ka mbetur Toka që ishte copëtuar dhe kështu u formuan shtatë toka për dy ditë (e diel dhe e hë­në), ky është ‘nuni’ të cilin e përmend Allahu i Lartësuar: “Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë.” (El-Kalem, 1), peshku ishte në ujë, uji në shkëmb, shkëmbi në shpinën e melekut, meleku në shkretëtirë, shkretëtira në erë. Kjo është shkretëtira, të cilën e përmend Lukmani. Ajo nuk është as në Tokë e as në qiell; peshku lëviz dhe kjo i shkakton lëvizjet dhe tërmetet në Tokë dhe Ai e ka forcuar me male dhe për këtë, ajo është qetësuar. Të martën Allahu i ka krijuar malet dhe të gjitha gjërat e dobishme në to. Të mërkurën i ka krijuar pemët, ujin, mineralet dhe qeniet e gjalla, e ka ndarë qiellin dhe e ka rregulluar si shtatë qiejt për dy ditë, të enjten dhe të premten. E premtja është quajtur ditë e xhuma (e tubimit), sepse atë ditë janë tubuar krijimi i qiejve dhe i Tokës, ndërsa në secilin qiell është vendosur rendi.” Pastaj thonë: “Në secilin qiell i ka krijuar melekët që do të jetojnë në të, detrat, malet e ftohta dhe gjërat e tjera që nuk i di askush përveç Atij. Pastaj qiellin e ka stolisur me yje dhe e ka bërë të bukur dhe të ruajtur mirë, të mbrotjur prej shejtanëve. Kur e ka përfunduar krijimin e asaj që kishte dashur, Ai ishte ngritur në Arsh.” Në këtë thënie të cilën e përmend es-Sedi, gjenden shumë gjëra të çuditshme dhe shumë prej tyre janë prej israiliateve. Ka’b el-Ahbari kur e kishte pranuar Islamin gjatë kohës së Omerit r.a., para Omer ibën Hatabit r.a. ai i kishte treguar disa gjëra nga mësimet e ithtarëve të Librit. Omeri r.a. e kishte dëgjuar me vëmendje dhe ishte çuditur se si në të gjitha këto gjëra gjenden shumë gjëra të vërteta, të cilat i përmend edhe Sheriati i drejtë. Për këtë shkak, shumë i lejojnë transmetimin e asaj që e kishte përmendur Ka’b el Ahbari lidhur me këtë, si dhe transmetimet e Benu Israilëve. Mirëpo, në israiliate ka ende aso gjëra që janë shtrembëruar e nuk janë të sakta.

Buhariu në ‘Sahihun’ e tij përmend se Muaviu lidhur me Ka’b el-Ahbarin kishte thënë: “Edhe pse e gjithë kjo është kështu, prapë ne e konsiderojmë gënjeshtar”6, domethënë në atë të ci­lën e transmeton ai, nuk mund të mbë­shte­te­mi, ndërsa Allahu e di më së miri.

Ne e theksojmë atë që e kanë thënë dijetarët më të mëdhenj muslimanë dhe i pranojmë prej tyre. I pasojmë hadithet, besueshmëria e të cila­ve është vërtetuar, ndërsa e lëmë atë që është gënjeshtër. Ka mbetur ajo që nuk mundemi as ta vërtetojmë e as ta refuzojmë - me këtë ne mund të ndihmohemi në tregimin tonë.

Buhariu përmend prej ebu Hurejres r.a. se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kishte thënë:

“Allahu kur e kishte përfunduar krijimin, në librin që gjendet tek Ai mbi Arsh, kishte shkruar: ‘Me të vërtetë mëshira Ime e mbisundon zemërimin Tim.”7

Kështu e përmendin Muslimi dhe Nesaiu prej Kutejbe r.a., pastaj këtë e kishte thënë edhe Buhari.

__________________________________________

1 E përmend imam Ahmedi në ‘Musnedin’ e tij.
2 E përmend Buhariu.
3 E përmend Buhariu.
4 E përmend Muslimi dhe imam Ahmedi në ‘Musnedin’ e tij; ky është version i Muslimit.
5 E përmend Bejhekiu.
6 E përmend Buhariu.
7 E përmend Buhariu, Muslimi dhe imam Ahmedi në ‘Musnedin’ e tij.

 

Denna hemsida är byggd med N.nu - prova gratis du med.(info & kontakt)